
Në bar “Le Caffe’, në Tiranë, kamerierët ishin veshur me këmisha elegante të kuqe dhe lëviznin me shkathtësi nëpër mjedisin e ngushte, por të këndshëm. Dritare të larta gjer në tavan vështronin në një shatërvan të dekoruar, dhe pas tij, në gjelbërimin e Parkut Rinia familjarët shulleheshin në diell. Xin tonik mu shërbye i ftohtë-akull dhe me limon. Jo keq për një qytet që mbahet si shembull i prapambetjes së pashpresë.Kur u thashë të njohurve se do të shkoja me pushime në Shqipëri,reagimi i përgjithshëm ishte mosbesues. E izoluar nga pjesa tjetër e botës për pothuaj 50 vjet nën diktaturën e Enver Hoxhës; e çliruar nga një revolucion në 1990, për t’u zhytur sërish në anarki dhe dhunë; ‘dëshpëruese’, ‘e rrezikshme’ dhe ‘e korruptuar’ – ishin disa nga përcaktimet që mu dhanë. Por dy javë më parë, British Airways filloi shërbimin e ri të fluturimit për Tiranë dhe operatorët turistikë po interesohen rreth kësaj. A mos vallë ata dinë diçka që ne nuk e dimë?
Përshtypjet e para nuk qenë të mira. Rruga nga aeroporti në qytet qe me gropa dhe e mbushur me shoferë të çmendur.Në kohën e Hoxhës kishte vetëm 600 makina në vend, të gjitha pronë e liderëve komunistë. Tani makinat janë me mijëra, por gjithsesi ato mbeten ende një shpikje e re për shoferët dhe kalimtarët. Ndërsa çanim errësirën, makina të tjera parakalonin me dritat e gjata dhe kalimtarët kalonin pa kujdes rrugën. Pluhuri dhe tymi vareshin përmbi qytet si një re. Çfarë rrëmuje. Gjërat morën disi më për mbarë në Hotel Brilant, një biznes i vogël familjar në një rrugicë afër ndërtesës së parlamentit, me dhoma të rregullta e të pastra dhe me një restorant shtëpiak në bodrum. Dhe ditën tjetër u çova në një Tiranë krejt ndryshe.
Qyteti dukej i gjallë dhe me ngjyra. Kryetari i karizmatik i Bashkisë, një ish artist i quajtur Edi Rama, e ka lyer qytetin me të kuqe blu, të gjelbër e portokall. Me ndihmën e studentëve lokalë, fasadat e shëmtuara të blloqeve të apartamenteve të epokës komuniste janë lyer me ngjyra shndërritëse, duke u dhënë një efekt të çuditshëm lodrues. “Ishte planifikuar me efektin e një shoku”-thotë Rama. “Mjediset rrethuese të komunitetit kanë qenë gri për shumë gjatë” Ai ka mbjellë gjithashtu qindra pemë dhe u ka vënë ruspën banesave ilegale dhe bordellove që rrethonin parqet e Tiranës. Tani qielli shpohet nga projektet e ndërtimit. Nuk është çudi që ai u rizgjodh kryetar. Gjithsesi Tirana mbetet një rast studimi për sa i përket çrregullsisë së planifikimit urban. Gjysma e qytetit u ndërtua nga fashistët e Musolinit, të cilët e pushtuan atë për katër vjet. Ata ndërtuan disa ndërtesa të pëlqyeshme neo-klasike, por e shkatërruan efektin e tyre duke ndërtuar bulevarde të gjera dhe sheshe të zbrazëta.Gjysma tjetër e qytetit është punë e Hoxhës dhe e bashkëpunëtorëve të tij. Në sheshin Skënderbej, Hoxha shkatërroi pazarin e vjetër të qytetit dhe ndërtoi një lemeri ndërtesash betoni. Një qyteti elegant të periudhës Otomane iu shkul zemra.
Megjithatë kudo shikon shenja shprese dhe ringjalljeje. Qeveria e ka krimin nën kontroll, ekonomia po ringjallet dhe qytetarët e Tiranës përpiqen pa fund, konfuzë, por optimistë. Gjendesh para parqeve të vegjël mes blloqeve të apartamenteve ; zbulon kafene në natyrë kudo.Ndërtesa e shëmtuar e piramidës së muzeut të Hoxhës është shndërruar në një qendër kulture dhe adoleshentët kënaqen duke rrëshqitur nëpër faqet e saj. Tiranasit reklamojnë qytetin e tyre.
Kjo ndodh më së shumti dhe më këndshëm në zonën e Bllokut, njëherë e një kohë zona rezidenciale e apartçikëve të Partisë. Vilat e ish elitës, duke përfshirë dhe atë të Hoxhës janë kthyer në klube, kafene dhe dyqane. Piva një birrë Tirana me 70 pens litri, duke parë paradën e vajzave shalëgjata dhe të djemve flokë përpjetë. Asnjë McDonald’s, Starbucks ose dyqan suveniresh vërdallë. Respekti për shqiptarët po më rritej gjithnjë e më shumë.Të zgjuar dhe të shkathët në komunikim, ata janë indiferentë për statusin e tyre në botë. “Tirana nuk është Shqipëria”- thotë banakieri i Quo Vadis. “Refugjatët dhe kriminelët që njihen nga pjesa tjetër e Evropës vijnë më së shumti nga fshatrat”. E drejtë, por një pjesë e këtij aktiviteti zhvillohet edhe në Tiranë. Kambistë të dyshimtë qëndrojnë nëpër anët e sheshit Skënderbej; në Bllok mund të blesh CD dhe DVD pirate për hiç asgjë. Dhe për më tepër dëgjova se ekziston dhe një dyqan ku mund të blesh celularë të vjedhur.
Shqipëria është një vend mysliman dhe rregulli i hekurt i mikpritjes dominon. Unë hoqa dorë nga qerasja me pije e të tjerëve dhe u mësova me xhestin e dorës në zemër që ata bënin kur më qerasnin. Islamizmi shqiptar është me bazë të gjerë dhe tolerant. Ku kisha Katolike dhe ajo Ortodokse në Tiranë janë shumë afër me xhaminë në qendër të qyteti.
“Ne jemi në fillim patriotë dhe pastaj fetarë”, thotë dikush.
Xhamia e shekullit të18-të e Et’hem Beut aksidentalisht është një nga monumentet e pakta turistike të Tiranës. Për t’u parë nga turistët janë gjithashtu dhe Kulla e Sahatit e shekullit te 19-të (që tregon kohën e gabuar) dhe Ura mesjetare e Tabakëve. Muzeu Historik Kombëtar ka disa pavione ekspozitash interesante të periudhës së Hoxhës, por megjithatë Tirana ka karakterin e një qyteti të ri, i cili ndërton konturet e tij ditë pas dite. Mund të shëtisësh kafeneve, të pish kafe, të flasësh dhe e gjitha kjo me çmime të pranueshme.Në një restorant të quajtur Emblema mu desh të bëja vend mes gjashtë pjatash duke përfshire kaçkavall të skuqur dhe mish qengji me erëza pikante Në tavolinë kishte dy kana, njëra me verë çuditërisht të mirë vendi dhe tjetra me dhallë-pija prej kosi me e njohura në Ballkan. Gjithsej për: 6£.
Ditën e fundit shkova për darkë tek Living Room. Vendi më i këndshëm, për të ngrënë në Tiranë, një ndërtesë e 1920, me çati me majë dhe restorant në terrace. Por restoranti ishte mbyllur dhe pronarët kishin një darkë private me shoqërinë e tyre. Megjithatë ata më ftuan te haja me ta dhe refuzuan të paguheshin. A imagjinosh diçka të tillë në çfarëdo qyteti tjetër të Evropës? Mund të mos jetë Praga e re, por Tirana po shfaqet mjaft bukur.

Komento