Kulture më 25 Mars 2008

 Olta Boka-Zemren e lame peng

Shqip në Beograd

Olta Boka

Olta Boka ka për të kënduar shqip në Festivalin Evropian në Beograd. Kënga e autorëve Hila – Laço në stil më alternativ pas orkestrimit të dytë në Itali. Shqipëria këndon e gjashta

Në Beograd ka për tu kënduar shqip. Ishte e vështirë të përkthehej në anglisht dhe të ruhej melodia e vargut. Me gjithë përpjekjen e autorëve apo e ndonjë delegati që ngutej të shpjegonte kuptimin e fjalëve, pakkush nga të huajt e merrte mesazhin në anglisht të refrenit “Zemrën e lamë peng”. Ndaj dhe në Beograd, në Festivalin Evropian të Këngës Shqipëria flet me gjuhën shqipe.

Është përfaqësimi i pestë në Eurosong, por e para herë ku kënga nuk përkthehet në anglisht. Më 20 maj nis në Beograd edicioni i 53-të i Festivalit Evropian ku marrin pjesë 43 vende konkurrente. Shqipëria shkon atje me këngën fituese në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar “Zemrën e lamë peng”, e kënduar nga Olta Boka, me muzikë të Adrian Hilës dhe poezi të Pandi Laços, dyshe e cila na përfaqëson në Eurosong për herë të tretë. E sapokthyer nga Beogradi, drejtoresha e Radio Tiranës, Zamira Koleci, tha se ka marrë pjesë në mbledhjen e radhës së organizatorëve të festivalit, ku u hodh shorti për radhën e performancave. Për herë të parë në historinë e festivalit, këngët gjysmëfinale interpretohen në dy net.

Kënga jonë paraqitet natën e dytë, më 22 maj, bashkë me vende të rajonit si Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e të klanit ish-sovjetik si Ukraina, Gjeorgjia, Bjellorusia, etj. Olta këndon e gjashta.

Përgjithësisht në kësi rastesh preferohet të këndohet afër fundit dhe delegacioni shqiptar nuk mbeti shumë i kënaqur nga renditja. Megjithatë, dihet se në një festival si Evropiani nuk ka aq rëndësi radha, madje ndonjëherë nuk ka rëndësi as vetë kënga, por të ashtuquajtura “lobingje politike”. Këtë mbase duhet të synojnë edhe drejtuesit e RTSH-së. Koleci thotë se kënga ka për t’u prezantuar, të paktën në vendet e rajonit, për të parë mundësitë e një promovimi më të gjerë. Tashmë kënga e përfunduar është dorëzuar në Beograd. Është ripunuar dhe riorkestruar në një studio prestigjioze në Itali. Thuhet se vjen më e freskët dhe më alternative. Janë futur në lojë instrumente të gjallë që ekzekutohen nga artistë të zotë që bashkëpunojnë me emra si Laura Pausini, Michele Zarrillo apo me gjigantë televizivë si Mediaset.

Për t’iu përmbajtur kërkesave të EBU-së, kënga është përmbledhur në 3 minuta, pa rrudhur krijimin që në festivalin e RTSH-së kishte 20 sekonda më tepër. Riorkestrimi në Itali mësohet të ketë kushtuar rreth 6 mijë euro. Nuk ka pasur probleme pagesash. Drejtuesit e RTSH-së kanë qenë korrektë me autorët, madje mësohet që edhe komunikimi me ta të ketë qenë i mirë, edhe pse kishin paracaktuar një tjetër këngë fituese dhe jo “Zemrën e lamë peng”.

Për përkthimin thuhet që të gjithë të kenë qenë në një mendje që kënga të këndohej shqip. Drejtoresha e festivalit bëri të ditur për “Shekullin” se kjo nuk ka ndodhur enkas për pjesëmarrjen në Beograd. (Edhe pse thellë-thellë na pëlqen të jetë kështu). “Këngët tona është e vështirë të përkthehen në gjuhë të huaja. Janë të mbushura plot metafora dhe zor se gjenden fjalët e duhura në një gjuhë tjetër. Ndoshta kemi mbetur shumë tradicionalë në tekste”, - thotë Zamira Koleci.

Kënga do të shoqërohet me videoklip i realizuar nga regjisori televiziv Pluton Vasi në bashkëpunim me “Max Production”. Këtë herë s’ka për të pasur përplasje pronësish e kombësish. Videoklipi është xhiruar në qendër të Tiranës, në Pallatin e Kongreseve.Është ndërtuar mbi fabulën e thjeshtë të tekstit dhe marrin pjesë shumë të rinj. Mendohet që videoklipi të ketë kushtuar rreth 8 mijë euro. Momentalisht ende nuk mund të flitet saktësisht për performancën skenike. Nuk pretendohen performanca koreografike, veshje të çuditshme, madje do të ishin të kënaqur edhe pa back vokal-e.

Pika e fortë e konkurrimit të sivjetshëm nuk është pjesëmarrja për herë të parë, paraqitja fizike, apo përvoja e një artisti me shumë vite karrierë mbi supe, por mosha e këngëtares. Si favor e servirin organizatorët e festivalit në RTSH. Ndoshta Olta ka për t’u ndjerë si guri ynë i shansit në Beogradin e nxehtë, që nuk mund t’ia falë Kosovës guximin për t’u ndarë prej saj. Organizatorët premtuan siguri të plotë për delegacionin tonë dhe atë Izraelit. Për këtë u zhvillua edhe një mbledhje e veçantë.

Pavarësisht përgatitjeve nga ana shqiptare dhe premtimeve të organizatorëve, Shqipëria nuk do ta ketë edhe aq të thjeshtë në Serbi. Nuk e patëm më të thjeshtë në Kievin e ftohtë, apo Helsinkin e largët, madje as në Athinën fqinje. Duket se Shqipëria është një vend tepër i vogël për të bërë aleanca të mëdha. Dhe këtë herë nuk është thjesht çështje aleancash. Nuk e dimë si do të pritemi, nuk e dimë në do të votohemi. Të paktën të kemi një paraqitje dinjitoze.

Pasaporta e këngës

Titulli: “Zemrën e lamë peng”

Këndon: Olta Boka

Muzika:Adrian Hila

Teksti: Pandi Laço

Gjuha: shqip

Kohëzgjatja: 3 minuta

Orkestracioni dhe instrumentet live: Itali, 6 mijë euro

Videoklipi: Pluton Vasi, “Max Production”, rreth 8 mijë euro

Komento



  1.  
  2.  
  3.  
Komentet ndaj ketij shkrimi mund t'i ndjekesh nepermjet burimit RSS per komentet.
2468 faqet e vizituara, 5 sot
1263 vizita, 4 sot