Rauli “ligjëron” celularët

Presidenti i ri i Kubës, Raul Kastro, ka autorizuar kubanët të mbajnë telefona celularë, deri më tani të rezervuar vetëm për të huajt dhe funksionarët e qeverisë. Lajmi është dhënë nga shoqëria kombëtare e telekomunikacioneve Etecsa. Vetëm pak ditë më parë, ishte lejuar për të parën herë edhe shitja e DVD-ve dhe PC-ve. Vendimi i radhës përfaqëson një zhvillim të madh në ishullin komunist. Në shkurtin e kaluar, Raul Kastro kishte lajmëruar në një fjalim të tijin, se qeveria kubane do të anulonte disa masa ndaluese që kufizonin jetën e qytetarëve. Si pasojë, janë lejuar kompjuterët, DVD-të, televizorët me ekran të sheshtë dhe furrat me mikrovalë. Është liberalizuar edhe shitja e pajisjeve të vogla bujqësore. Ndërsa vitin e ardhshëm, kubanët do të mund të blejnë edhe kondicionerët. Për thekësen e bukës gjithsesi, do të duhet të presin deri në 2010-ën.

Komento