Shqipëria, Kuvajti i Ballkanit
26 04 2008
Studimet e fundit tregojnë se vendi ynë zotëron 57% të rezervave të naftës në rajon
Studimet e fundit po nxjerrin gjithmonë e më shumë në pah rezervat e mëdha të naftës në Shqipëri. Një studim i bërë për llogari të kompanisë “Manas Petroleum” nga amerikanët e Gustavson Associates LLC, ka konkluduar se Shqipëria zotëron më shumë se 57 për qind të rezervave të naftës që gjenden në Ballkan. “Nga 345 milionë fuçi naftë që gjendet në Ballkan, 198 milionë prej tyre ndodhen në Shqipëri”, thotë studimi. Kjo është naftë e rikuperueshme ose e thënë ndryshe naftë që me teknologjinë aktuale mund të nxirret nga nëntoka. Sipas të dhënave, mendohet se rreth 100 milionë e kësaj rezerve ndodhet në vendburimin e Patos-Marinzës, që është dhe fusha naftëmbajtëse më e madhe në Evropën Kontinentale.
Rezervat
Që nga viti 1990, vendi është ndarë në disa zona, të cilat u janë dhënë për shfrytëzim kompanive të huaja. Por, nga një vend eksportues deri më 1989-ën, tashmë Shqipëria detyrohet të importojë 73% të nevojave të saj për naftë. Kjo edhe për arsyen se dy vitet e fundit një pjesë e mirë prodhimit vendas po ikën për eksport. Kanadezja “Bankers Petroleum”, që prodhon naftë në vendburimin e Patos-Marinzës në bazë të një marrëveshjeje koncesionare po eksporton më shumë se gjysmën e prodhimit të saj në vendin fqinj, Itali. Ndërsa kompanitë e tjera koncesionare nuk ushtrojnë aktivitet nxjerrës. Në 15 vjetët e fundit, licenca për këtë qëllim u janë dhënë kompanive amerikane, austriake, kanadeze, kroate, greke dhe suedeze. Sipas statistikave të Bankës Botërore, janë kryer shpime në 4 666 puse nafte, nga të cilat 3 123 janë operative, ndërsa 981 të tjera janë mbyllur apo braktisur.
Gazeta SHQIP






