

“Revoltë ndaj Bollanos, nuk na bën dot grekë”. Dje mund t‘i gjeje të vazhdonin përditshmërinë e jetës së tyre të gjithë ata djem fare të rinj, të cilët dy ditë më parë dogjën flamurin grek në Sarandë.
Ata tregojnë se mesditën e së dielës u mblodhën te lulishtja e shatërvanit, pasi kishin gjetur një flamur grek dhe i vunë flakën. Djegia u shoqërua me thirrjet “Poshtë Bollano!” E nga kjo është mësuar se ky ka qenë një reagim spontan i disa shkollarëve të qytetit, kundër atyre që janë quajtur deri në Parlamentin shqiptar si qëndrime antishqiptare. Viktor Agaj, shef i Komisariatit të Policisë së Sarandës, tha se policia nuk është njoftuar për atë që u organizua dhe se ai ka mësuar për sa ka ndodhur kur ka parë titrat në “Top News”. Agaj e ka quajtur atë krejtësisht të paligjshme e të paorganizuar këtë protestë.
Ndërkohë, policia është marrë paraditen e së dielës me disa parulla, të cilat janë gjetur të shkruara në muret e jashtme, prapa godinës së gjimnazit “Hasan Tahsini” të Sarandës. Ato janë diktuar nga drejtori i shkollës Apostol Nika, i cili tregon se parullat kanë qenë shumë kontradiktore. Fillimisht me bojë blu ka qenë shkruar “Rroftë Shqipëria e Madhe” e mbi të, me bojë të zezë është bërë “Vdekje Shqipërisë së Madhe” dhe “Fuck Albania”. Nga investigimet e bëra deri tani është parë se shkrimi i parullave nuk ka qenë punë fëmijësh, pasi ato u gjetën të shkruara në lartësi. Për të mos u parë nga kalimtarët dhe nxënësit e shkollës janë marrë masa që ato të fshihen, duke lënë vetëm gjurmë të palexueshme.
A janë bërë parullat shkas për të reaguar me djegien e flamurit grek? Vetë djemtë që morën pjesë në djegien e tij përjashtojnë të kenë pasur dijeni për këtë. Ata thanë se veprimin e tyre nuk e lidh asgjë me parullat e shkruara. Një prej tyre, nxënës i shkollës jopublike “Dea” në qytetin e Sarandës, thotë se “e dogjëm flamurin grek në mes të sheshit, për t‘i thënë Bollanos se nuk na bën dot grekë, duke na shtuar S-ra në emrat tanë”. Së bashku ata thonë se po /////////////projektojnë të shkojnë edhe në Himarë në ditët që vijnë, për të demonstruar frymën anti-Bollano në qytetin që nuk është pronë e tij…
Duke kërkuar të mos i hapin telashe vetes me policinë, ata bashkohen në atë që ishte veprim spontan dhe i organizuar, pa kërkuar e pa marrë lejen e policisë. Kjo është arsyeja që ata duan të mbeten anonimë. Por secili nuk druan aspak të shprehet për atë që bënë. Një tjetër shton se “po ta dinim që qenë shkruar edhe parulla poshtëruese për shqiptarët, do ta kishim bërë tym e flakë”. “Ah, sikur ta kishim mësuar…” - shton një pjesëmarrës tjetër në episodin e vënies së shkrepëses flamurit bardhë e kaltër me simbolin e kryqit. Ndërkohë, një prej djemve, që duket më i pjekur në mendim e më i përmbajtur në emocione, shprehet: “Nuk e kishim as me popullin e as me shtetin grek, por me një Bollano që kërkon të bëhet pishtar i helenizimit të Shqipërisë”.
Copëra të flamurit të djegur janë gjetur të shpërndara e të përzhitura pasditen e së dielës në trotuare e në rrugët pranë sheshit kryesor të Sarandës. E vërteta është se kjo ka kaluar pa u vënë re nga qytetarët, e madje edhe nga kalimtarët, pasi vlerësohet të ketë qenë një shkrepje e momentit e disa adoleshentëve, të ngacmuar në sedrën dhe ndjenjat shqiptare nga qëndrimet dhe veprimet e Bollanos.

Komento