
Kreu i organizatës, letër zyrtare ministrit Basha
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka reaguar në nivelin e saj më të lartë rreth shqetësimit për largimin apo ridimensionimin e misionit të saj në Shqipëri, duke i bërë të qartë qeverisë shqiptare se prezenca e OSBE-së në Tiranë do të vazhdojë misionin e saj të përcaktuar në Shqipëri, për një kohë të gjatë. Edhe pse Ministria e Jashtme shqiptare bëri të ditur dy ditë më parë se nuk është kërkuar rishikimi i mandatit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nga burime diplomatike bëhet e ditur se ky shqetësim është ngritur në një letër zyrtare, që kryetari i radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, njëkohësisht ministër i Jashtëm i Finlandës, Alexandër Stubb, i ka dërguar shefit të diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Data e mbërritjes së letrës së z.Stubb në skrivaninë e Bashës, është 14 korriku, pra dy javë para se një diplomat i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ngrinte publikisht alarmin. Në këtë letër, kreu i radhës së OSBE-së, i bën të ditur tekstualisht qeverisë shqiptare se: “OSBE po ndjek me vëmendje debatin publik për mandatin e saj në Shqipëri. OSBE luan rolin e një partneri afatgjatë për të ndihmuar Shqipërinë të vazhdojë reformat dhe kërkon të bashkëpunojë me të përmes realizimit të një sërë projektesh në përputhje me mandatin. Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë punën në të mirë të popullit shqiptar”. Sipas burimeve zyrtare pranë Prezencës në Tiranë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, mësohet se letra i është dorëzuar ministrit të Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, e cila është depozituar menjëherë pas fjalimit të ambasadorit shqiptar pranë OSBE-së në Vjenë, i cili në fillim të muajit korrik, në një fjalim në kryeqytetin austriak artikuloi ridimensionimin e misionit të OSBE-së në Shqipëri. Ambasadori Galanxhi deklaroi se qeveria shqiptare është thellësisht e bindur se tashmë ka ardhur momenti për një impenjim cilësor, madje për një impenjim nga të gjitha palët; nga njëra anë shqiptarët dhe nga ana tjetër komuniteti ndërkombëtar. Në fjalën e tij Galanxhi thekson se “OSBE është pranuar si një marrëveshje e përgjithshme rajonale në kuadër të Kapitullit VIII të Kartës së OKB-së, që do të thotë se është një instrument paralajmërues për kriza, parandalimin e konflikteve, administrimin e krizave dhe rimëkëmbjen e një hapësire post-krize. Objektiva, që në fakt nuk i shkojnë shumë për shtat sot Shqipërisë. Ndërkaq, mandati i misionit të saj të përhershëm, herën e fundit që u rinovua, u pranua si plotësues dhe jokonkurrues me punën e Komisionit Evropian”. Pikërisht pas këtij fjalimi, kreu i radhës i OSBE-së, që është aktualisht zyrtari më i lartë politik i organizatës, i bën të ditur qeverisë shqiptare se mandati i Prezencës së OSBE-së në Tiranë do të jetë afatgjatë, sipas projektit të përcaktuar dhe më parë. Ministri i Jashtëm i Finlandës, Alexandër Stubb, thekson në letrën e tij drejtuar ministrit Basha se OSBE-ja do të vazhdojë të gjitha projektet e nisura me popullin shqiptar. Ku padyshim, kryesorja është monitorimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë, në rastin e zgjedhjeve, ngarkon Zyrën e saj për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Ky mision nuk i ka të mira marrëdhëniet me mazhorancën aktuale dhe qeverinë e zotit Berisha. Në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007, misioni i ODIHR-it, i kryesuar nga diplomati danez Jorgen Grunet, e cilësoi procesin zgjedhor si një “zhgënjim dhe hap prapa në arritjen e standardeve demokratike”. Ndërkaq kërkesa e qeverisë shqiptare për rishikimin e misionit të OSBE-së ka alarmuar opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar, por që u tentua të venitej nga qeveria shqiptare, e cila me gojën e vetë Kryeministrit Sali Berisha, si dhe nga Ministria e Jashtme, theksuan se nuk ka asnjë tentativë për largimin e misionit të OSBE-së. Por letra e kreut të radhës, Alexandër Stubb, e dorëzuar më 14 korrik në zyrën e shefit të diplomacisë Basha, flet për një shqetësim të ngritur në nivelin më të lartë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Alarmi u dha nga diplomati i SHBA-së
Alarmi i ndërkombëtarëve rreth ndryshimit të mandatit të misionit të OSBE-së u hodh në fund të korrikut nga një diplomat i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtari i Uashingtonit shprehu shqetësimin e tij, duke e quajtur të “çuditshme” deklaratën e ambasadorit shqiptar në OSBE. Në fakt kjo batutë e diplomatit amerikan ishte një shprehje e qartë e shqetësimit të Perëndimit, i cili hidhte dyshimin se qeveria shqiptare kërkon të shmangë OSBE-në nga procesi zgjedhor i ardhshëm, gjë që përbën një precedent shumë të rrezikshëm për standardet demokratike që duhet të arrijë Shqipëria.

Komento